Harmonia e tifozëve shqiptarë dhe atyre kroatë, si para ndeshjes Kroaci-Shqipëri por edhe gjatë saj, duket se nuk i ka pëlqyer aspak serbëve.
Federata Serbe e Futbollit do t’i kërkojë UEFA-s të dënojë Shqipërinë dhe Kroacinë për këngët që tifozët kënduan në kor gjatë ndeshjes.
Sekretari i përgjithshëm i Federatës së Futbollit të Serbisë, Jovan Šurbatovic e ka cilësuar skandaloze sjelljen e shqiptarëve dhe kroatëve. Sipas tij gjithçka filloi me kroatët, të cilët shanin serbët dhe popullin serb në mënyrë të turpshme dhe shqiptarët vazhduan në tê njëjtën mënyrë.
Ai kërkon që dy kombëtaret të dënohen, ose në të kundërt Serbia nuk do të marrë pjesë në Kampionatet Europiane.
“Ishte një vazhdimësi e sulmeve të tmerrshme ndaj tifozëve dhe futbollistëve tanë në Gjermani. Skandaloze! Federata e Futbollit të Serbisë do të kërkojë nga UEFA që të zbatojë sanksionet më të rrepta për Kroacinë dhe Shqipërinë. Nuk duam që kjo të ndodhë më kurrë. Kjo sjellje nuk mbahet mend në historinë e futbollit, nuk ka vend në sport. Ne nuk duam të marrim pjesë në një kampionat të tillë europian… Nëse UEFA nuk ndëshkon në mënyrë drastike ekipin shqiptar dhe atë kroat të futbollit, do të mendojmë se si të vazhdojmë. Jemi në komunikim të vazhdueshëm dhe jemi të sigurt se ndëshkimet do të jenë rigoroze. Tani do të dërgojmë një letër proteste, kjo nuk ka lidhje me futbollin, Europiani nuk duhet të politizohet”.
Ai u shpreh se ka besim që UEFA do të reagojë, njësoj siç bëri me gazetarin nga Kosova që i hoqi akreditimin në Euro 2024 pasi bëri simbole shqiptare kundër serbëve në stadium.