SPAK u ka prishur gjumin të paprekshmëve të politikës, prokurorët specialë janë në rrezik për shkak të pazarit Rama-Berisha, Lulzim Basha reagon ashpër dhe zbulon çfarë do bëjë nëse Gjykata e Lartë nuk vendos për vulën e PD para zgjedhjeve të 2025 - Today News

SPAK u ka prishur gjumin të paprekshmëve të politikës, prokurorët specialë janë në rrezik për shkak të pazarit Rama-Berisha, Lulzim Basha reagon ashpër dhe zbulon çfarë do bëjë nëse Gjykata e Lartë nuk vendos për vulën e PD para zgjedhjeve të 2025

Kreu i demokratëve euroatlantik, Lulzim Basha ka komentuara sërish situatën politike në vend, e veçanërisht atë brenda opozitës, shpërthyer në sulme të forta në adresë të kryeministrit Edi Rama dhe ish-kryeministrit Sali Berisha. Teksa ishte ftuar dje në një studio televizive, zoti është shprehur se SPAK-u është një realitet, i cili u ka prishur gjumin të pandëshkueshmëve të politikës. Madje Basha theksoi se Prokuroria e Posaçme meriton një mbështetje totale, pasi sipas tij, është sot në rrezikun më të madh për shkak të pazarit të fundit midis Ramës dhe Berishës që ndajnë hallet e përbashkëta në raport me drejtësinë e pakontrolluar nga ta. Ndër të tjera, ish-kreu i PD-së shtoi se ata që kanë varur shpresat te SPAK-u, duhet ta dinë që e kanë gabim, pasi sipas tij skenën politike e pastron vota e qytetarëve shqiptarë. “SPAK-u është një realitet i cili u ka prishur gjumin të pandëshkueshmëve të politikës. Për këtë arsye meriton një mbështetje totale dhe është sot në rrezikun më të madh për shkak të pazarit të fundit midis kryeministrit dhe ish kryeministrit që ndajnë hallet e përbashkëta në raport me drejtësinë e pakontrolluar nga ta. Dhe për këtë arsye, qëndrimi ynë dhe i gjithë atyre që besojnë tek një Shqipëri me barazi para ligjit, është mbështetje pa kushte për SPAK-un. Kjo është një gjë dhe padiskutim është pjesë e profilit tonë politik, por askush nuk ka varur shpresat që zgjedhjet e ardhshme t’i caktojë apo t’i vendos SPAK. Ata që kanë varur shpresat te SPAK-u, duhet ta dinë që e kanë gabim. Skenën politike e pastron vota e qytetarëve shqiptarë”, deklaroi dje Basha.

Basha: Do shpalosim alternativën tonë

Më tej gjatë intervistës kreu i demokratëve euroatlantik, Lulzim Basha, tha se shpalosja e alternativës ende nuk ka mbaruar. Kjo sipas tij për faktin se shqiptarët meritojnë më shumë, për një alternativë që u jep shpresë. Kundër kësaj, Basha theksoi se është politika e vjetër që duan ta vdesin këtë debat, që qytetarët mos të kenë të qartë se kush qëndron në krahun e tyre dhe kush iu ka hipur mbi qafë gjithë këto vite, pavarësisht nëse është në qeveri, apo është në opozitë dhe vazhdon të gëzojë frytet e ish qeverisjes. Ai gjithashtu u shpreh se edhe ajo që ka ndodhur më 11 qershor është pjesë e këtij komploti për t’i mohuar shqiptarëve një debat publik mbi të ardhmen e tyre, mbi alternativën e tyre, mbi faktin që ata meritojnë më shumë. “Ne s’kemi mbaruar shpalosjen e alternativës. Sapo kemi filluar shpalosjen e alternativës. Është bindja ime e thellë që shqiptarët kanë nevojë për një alternativë, kanë nevojë për shpresë. Se politika është bërë për ta një biznes i ndyrë ku një grusht njerëzish pushtohen dhe pasurohen, por nuk i shërbejnë vendit. Në momentin që ne hapim një debat, që nuk është e lehtë, se këtë debat duan ta vdesin, për të ardhmen e vendit për të ardhmen e rinisë, për të ardhmen e familjes shqiptare, për profesionet e lira, për sipërmarrjen shqiptare për pronat, për të përndjekurit, për sigurinë kombëtare, për luftën kundër korrupsionit, në atë moment njerëzit do ta kenë të qartë se kush qëndron në krahun e tyre dhe kush iu ka hipur mbi qafë gjithë këto vite, pavarësisht nëse është në qeveri, apo është në opozitë dhe vazhdon të gëzojë frytet e ish qeverisjes.

Pra, në këtë aspekt beteja që kemi sot është të mos lejojmë, të refuzojmë përpjekjen e tyre që do të bëhet edhe më e thekshme dhe ke për ta parë edhe këtu në televizionin tuaj dhe kudo, që t’i mohojnë shqiptarëve këtë debat. Edhe ajo që ka ndodhur më 11 qershor është pjesë e këtij komploti për t’i mohuar shqiptarëve një debat publik mbi të ardhmen e tyre, mbi alternativën e tyre, mbi faktin që ata meritojnë më shumë”, u shpreh Basha.

Beteja për vulën e PD

Ndërkohë zoti Lulzim Basha është shprehur se do të vijojnë betejën për rimarrjen e vulës së PD-së, por shtoi se nëse Gjykata e Lartë nuk merr një vendim deri para zgjedhjeve, atëherë ata e kanë gati alternativën për zgjedhjet e vitit 2025. Basha theksoi se grupi i tij do të prezantohet në zgjedhjet e vitit 2025 me çdo formë dhe mënyrë të mundshme. Ai tha se grupimi politik që ai drejton është i pari nga forcat politike që ka shpalosur programin. “Do ndjekim diçka që është në përputhje me bindjet tona. Do të bëjmë betejë për ligjshmërinë, por në çdo rast ne do të bëjmë gati alternativën. Shqiptarët do e kenë gati alternativën në zgjedhje. Asnjëherë nuk kemi pritur ne, as nuk do të presim. Jemi e vetmja forcë politike që kemi shpalosur programin. Thelbi është që ne çdo ditë do të jemi me njerëzit. Do prezantohemi me një alternativë. Ose me PD nëse është vendosur ligjshmëria, ose në çdo formë dhe mënyrë tjetër. Shqiptarët nuk votojnë për një logo ose për një fantazmë apo për idhujtari. Shqiptarëve do u kërkojmë të votojnë për veten e tyre, për një program që merret me hallet e tyre. Kjo është diferenca me partitë e vjetra. Kultura e re politike është që ti japim fund kësaj idhujtarie që e shikon politikën si ndeshje futbolli. Nuk mund të bëhesh tifoz në politikë. Duhet të mendosh se çfarë është më e mira për veten tënde, për fëmijët e tu apo për të ardhmen tënde”, nënvizoi Basha.