Pas Shteteve të Bashkuara të Amerikës, edhe Britania e Madhe dhe Bashkimi Evropian ka inkurajuar Prokurorinë e Posaçme (SPAK). Kjo e fundit dy ditë më parë ka marrë një tjetër mbështetje nga amerikanët sa i takon luftës ndaj korrupsionit. Ka qenë koordinatori për Anti-Korrupsionin Global në Departamentin amerikan të Shtetit, Richard Nephew, i cili zhvilloi një vizitë në vendin tonë, ndërkohë që ka pasur takime me prokurorët e SPAK, përfaqësues të Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive (ILDKPKI), si dhe përfaqësues të Agjencisë së Prokurimit Publik. Sa i takon vizitës në SPAK, ai ka parë nga afër “malin” me dosje që ndodheshin në dysheme dhe tavolina. Zyrtari i DASH ia ka bërë të qartë kreut të SPAK, Altin Dumani se duhet të mos trembet nga presioni politik. Por ky nuk ishte i vetmi mesazh mbështetës për prokurorët dhe gjyqtarët specialë, pasi edhe Brukseli e Londra kanë dhënë një të tillë. Ambasadori i Bashkimit Evropian në Tiranë, Silvio Gonzato teksa mori dje pjesë në seminar mbi “Drejtësia e përbashkët” e organizuar nga “Friends of Europe”, theksoi se pakthyeshmëria e reformës në drejtësi, është dhe duhet të jetë synimi kryesor i të gjithë aktorëve të përfshirë në të. “Reformat janë të vështira dhe kanë armiqtë e tyre. Nuk duhet të jemi naivë. Korrupsioni është një fenomen i përhapur shoqëror dhe nëse institucionet nuk forcohen dhe secili të luajë rolin e vet, ekziston rreziku i dështimit. Synimi ynë duhet të jetë pakthyeshmëria e reformës. Shoqëria civile luan qartazi një rol të rëndësishëm këtu – duke monitoruar, raportuar dhe mbrojtur vazhdimisht reformën”, deklaroi diplomati Gonzato.
Reagon Britania e Madhe
Ndërkohë edhe ambasadori britanik në Tiranë, Alastair King-Smith doli hapur në mbështetje të SPAK-ut dhe reformës në drejtësi. Duke folur para të pranishmëve në festën e organizuar nga ambasada në nder të ditëlindjes zyrtare të Mbretit Charles i III të Britanisë së Madhe, ambasadori King-Smith gjatë fjalës së tij përshëndetëse theksin e vendosi tek korrupsioni në vend, e sipas tij kjo e fundit duhet të çrrënjoset një herë e mirë. “Në vitet e ardhshëm, Shqipëria do ta përmbushë potencialin e saj të plotë vetëm nëse ju merrni pjesë në një përpjekje të përbashkët për të çrrënjosur korrupsionin, për të forcuar institucionet tuaja demokratike dhe për t’i nxjerrë kriminelet para ligjit”, deklaroi diplomati Alastair King-Smith. Më poshtë gazeta “SOT” po pasuron një pjesë të fjalës së ambasadorit të BE, Silvio Gonzato dhe atij të Britanisë së Madhe në Tiranë, Alastair King-Smith.
Ja një pjesë e fjalës së ambasadorit Gonzato
Pakthyeshmëria e reformës në drejtësi duhet të jetë synimi ynë. Për këtë duhen institucione të fuqishme gjyqësore të pavarura, ku shoqëria civile të luajë plotësisht rolin e saj. Rinovimi i anëtarësimit në këto institucione është kyç dhe Parlamenti duhet të sigurojë që anëtarët e rinj të japin garancitë e nevojshme për sa i përket pavarësisë dhe profesionalizmit. Bashkimi Evropian sigurisht që luan një rol edhe në reformat në drejtësi në Shqipëri dhe në Ballkanin Perëndimor. Nuk duhet të harrojmë se reformat në drejtësi janë nxitur në rajon nga angazhimi i vendeve për të çuar përpara shtetin ligjor si pjesë përbërëse e ambicies së tyre për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian. Por kur BE-ja vendos standarde të larta, merr gjithashtu edhe përgjegjësinë për të qëndruar pranë vendeve/institucioneve dhe për t’i ndihmuar ato. Arritja e këtyre standardeve në një mënyrë të qëndrueshme është pjesë e ambicieve tona. Ne ndihmojmë përmes programeve të ndryshme financiare (ndihmë teknike, mbështetje buxhetore, por edhe mbështetje për shoqërinë civile, si kjo), por edhe duke i monitoruar nga afër zhvillimet dhe duke i shoqëruar ato përmes dialogut politik intensiv. Ne publikojmë çdo vit raportet e vendit dhe tani, kemi raporte shqyrtimi për “kapitujt e negociatave”, ndërsa së shpejti do të publikojmë edhe “Raportet e para për shtetin ligjor”, të ngjashëm me ato të shteteve anëtare të BE-së. Ju lutem, hidhini një sy. Ftoj të gjitha OSHC-të që të jenë partnerët tanë në advokimin për prioritetet e identifikuara dhe monitorimin e zbatimit të tyre. Përveç kësaj, kohët e fundit, është shtuar një instrument i ri për çuarjen përpara të reformave, përfshirë edhe ato të shtetit ligjor: Agjenda e Reformës dhe Rritjes (Plani i Rritjes), duke ofruar një qasje të balancuar dhe të drejtë bazuar në kushte dhe kompensime. Ky mund të jetë gjithashtu një burim frymëzimi për advokimin dhe vazhdimësinë nga ana juaj, Integrimi në BE është një objektiv, por është gjithashtu një proces që përfshin ndryshime rrënjësore, të cilat përfshijnë pothuajse çdo sektor të shoqërive tona. Reforma të tilla të thella, dhe reforma në drejtësi është njëra prej tyre, nuk kanë mundësi të mbijetojnë gjatë dhe të sjellin rezultate të qëndrueshme pa përfshirjen e gjithë shoqërisë. Këtë e theksoj pa u lodhur, kur i drejtohem shoqërisë civile, por edhe në kuadër të punës parlamentare dhe marrëveshjeve shumëpartiake. Këtë vit Java e Evropës kishte të bënte me vlerat e BE-së, të tilla si gjithëpërfshirja, diversiteti dhe të drejtat e njeriut. Shoqëria civile është forca lëvizëse për të gjitha këto vlera, shoqëria civile është faktor kyç i ndryshimit në këto fusha. Pra, kemi nevojë që ju jo vetëm të monitoroni dhe kritikoni, por, të gjithë së bashku, edhe t’i promovojmë, t’i mbështesim dhe t’i mbrojmë këto vlera.
Ja një pjesë e fjalës së ambasadorit britanik në Tiranë, Alastair King-Smith
Ne do t’ju ndihmojmë të nxisni lidhjet rajonale dhe të investoni në hekurudha dhe infrastrukturë, në mënyrë që ju dhe gjithkush, në të gjithë Ballkanin Perëndimor, të mund të udhëtoni lehtësisht, të bëni tregti dhe biznes me njëri-tjetrin. Ne do të mbështesim bashkëpunimin tonë të shkëlqyer për sigurinë kufitare, do të forcojmë mbrojtjen tuaj kibernetike dhe do të kryejmë më shumë operacione të përbashkëta mes forcave tona policore, prokurorëve dhe agjencive të inteligjencës për të garantuar sigurinë e qytetarëve. Por ndërsa gjithashtu ekzistojnë shumë kërcënime të jashtme, sfida më e madhe e Shqipërisë, ndërsa vazhdon në rrugën e saj euro-atlantike, me shumë gjasa vjen së brendshmi. Në vitet e ardhshëm, Shqipëria do ta përmbushë potencialin e saj të plotë vetëm nëse ju merrni pjesë në një përpjekje të përbashkët për të çrrënjosur korrupsionin, për të forcuar institucionet tuaja demokratike dhe për t’i nxjerrë kriminelet para ligjit. Të gjithë parlamentarëve, zyrtarëve, politikanëve dhe partnerëve të tjerë, jam i kënaqur këtë mbrëmje që shoh kaq shumë përfaqësues të gjyqësorit, institucioneve të pavarura dhe shoqërisë civile të mbledhur së bashku. Mbretëria e Bashkuar do të qëndrojë gjithmonë krah jush që promovoni demokracinë, lirinë dhe zbatimin e ligjit. Një prej arritjeve të mia më krenare ishte të shihnim se sa shpejt Dhoma jonë Britanike e Tregtisë është shndërruar në një kontributore dinamike për të ardhmen e Shqipërisë. Jo vetëm duke na ndihmuar të vazhdojmë rritjen e ndjeshme të tregtisë dhe investimeve dypalëshe çdo vit. Por duke garantuar bursa studimi për të rinjtë në veri për të studiuar në universitetet shqiptare dhe ato britanike, duke lidhur partneritet me ne për të garantuar mundësi punësimi dhe duke ndihmuar vendosjen e standardeve të integritetit në biznes. Dhe fjala ime e fundit falënderuese i shkon të gjithë ekipit tim në ambasadën britanike; pa dedikimin tuaj të pakursyer, asnjë prej këtyre arritjeve nuk do të ishte e mundur.