24-vjeçari shqiptar humb jetën në Angli, 5 të arrestuarit lihen të lirë

Një i ri shqiptar ka humbur jetën në një aksident tragjik në Henley, Angli.

Robert Morina, 24 vjeç, vdiq kur “Audi A3 “e tij u përmbys në Gravel Hill, midis Henley dhe Rotherfield Grays më 21 maj.

Morina, i cili thuhet se ka qenë një hidraulik praktikant nga Emmer Green, vdiq nga një lëndim i rëndë në kokë.

Në homazhet e kryera pranë vendit ku vdiq shqiptari, miqtë i referohen Morinës si “Len” ose “Lenny” dhe pranë fotos së tij kanë vendosur lule, kartolina, flamuj shqiptarë dhe shishe alkooli.

Një hetim për vdekjen e Morinës u hap në Gjykatën e Oksfordit të enjten. Pesë arrestime u bënë nga Policia pas incidentit. Dy djem 17-vjeçarë u arrestuan me dyshimin se shkaktuan vdekjen nga drejtimi i rrezikshëm i automjetit, por më vonë u liruan pa asnjë masë tjetër.

Tre të rinj nga Reading, të moshës 21, 22 dhe 25 vjeç, u arrestuan me dyshimin se shkaktuan vdekjen nga drejtimi i rrezikshëm i automjetit dhe për furnizimin me drogë të klasit A por u lanë të lirë dhe nën hetim.