Vdekja e 14-vjeçarit Martin Cani tronditi vendin ditën e djeshme, pasi u vra nga një thikë në zemër pas sherrit mes të rinjve. Në një intervistë për gazetaren Kristi Gongo, në Top Channel, një qytetare ka zbuluar më shumë detaje, pak pasi i mituri u godit me thikë.
“Momenti i parë ishte klithma njerëzore që ndodhi në rrugë dhe trupin tim e përshkoi kjo lloj klithme. Dola nga dyqani dhe shkova drejt turmës. Turma ishin njerëz kalimtarë tregtar dhe nënës shkollash. Ulërinin dhe nuk bënin asgjë, veç një djalë. Një tregtar i kishte vënë jastëk të koka, dhe një djalë që mbante gjakun me bluze dhe rrinin aty.
Bërtita ulërita, të lutem thash ky nuk pret ambulancën, duhet të ikë urgjent, nuk pret ambulancës. Makinat që ishin rresht nuk donin, kishin mbyllur xhamin dhe vetëm shikonin. Klithmat tërhoqën vëmendjen e të gjithëve, askush nuk bëri video që ta shohim se çfarë po ndodhte.
Mora makinën dhe e çova te trupi i djalit. Mora djalin, na ndihmuan dy burra të tjerë dhe e shtriva në makinë. Në një moment ngela e vetme. Kristina ishte para me makinë, tha të vij unë. I thash duhet një burrë të na ndihmojë. Dola nga makina, iu drejtova o njerëz ju lutem një burrë. (Qan) Vjen një burrë ishte i traumatizuar, i dha frymë, i mbajti dhe plagën. Eca me shpejtësi, djalin e zgjova me klithmat e mija si nënë. ‘Bir i nënës zgjohu; i thash, ‘çohu se erdhëm për spital, t’i shpëtove ti u zgjove’ dhe ai u zgjua, ‘mami, mami tha’. ‘Bir i mamit thash mami s’të la vetëm jam me ty’.
Vjen ambulanca, mblodha mendjen dhe thashë këta janë më të zotë se unë. E marrin djalin, djali lëvizte kokën, thoshte ‘mami, mami’. Isha nëna e tij në atë momente, thika ishte fatale në zemër. Një goditje ishte. Djali u zverdh dhe e pashë që ishte rëndë. Më mbajti me shpresa që u zgjua”, rrëfen qytetarja.
Pati dalje të stafit mësimor?
“Ishte momenti, mos ia vëmë fajin atyre as policisë. Për atë moment që ata u çanë më thikë nuk kishte ça bënte mësuesi brenda në klasë. Çfarë do bënte një zyshë nga kati i tretë?”
Pate komunikim me prindërit?
“Po vajta te Trauma, kisha me vete atletet e djalit. Prindërit i kishte njoftuar mësuesja kujdestare, nëna kishte qenë në punë. Kishte ardhur me rrobat e punës. Më tha që mësuesja i kishte thënë se ‘djali është te Trauma po shkoni urgjent’. Ata akoma ishin në shok, prisnin mos dilte gjallë. Babai punonte kamarier, nëna se di.”
Çfarë ndjesie të dha komunikimi me prindërit?
“Nëna kishte ngrirë komplet, nuk reagonte fare. Kur i dhashë atletet e djalit gri me pikat e gjakut, aty filloi të ulëriste dhe qante. Aty besoi që djali ka vdekur. Isha unë i thashë në vendin tënd, mos u mërzit. Nuk dha shpirt në asfalt.”