58% e Shqipërisë me banesa bosh, norma më e lartë në Europë

Edhe pse çmimi i shtëpive është bërë i papërballueshëm për shumicën e popullsisë, për shkak të kërkesës së lartë, një pjesë e stokut të banesave janë bosh.

Pak ditë më parë, Komisioni Ekonomik i Kombeve të Bashkuara për Europën ka publikuar një raport për Zhvillimin Urban, Strehimin dhe Menaxhimin e Tokës në Shqipëri, që sjell në vëmendje arsyet që e kanë bërë blerjen e një banese të papërballueshme për shumicën e popullatës.

Në raport thuhet se edhe pse Shqipëria ka disa nga normat më të larta të banesave të pabanuara në Europë, shkalla e mbipopullimit për popullsinë tejkalon 58 për qind dhe kjo është më e larta në Europë, me përjashtim të Malit të Zi.

Ndër shkaqet e boshatisjes së shtëpive, raporti rendit emigrimin masiv nga zonat rurale drejt atyre urbane por edhe blerjen e shtëpive nga grupet e pasura dhe lënia e tyre bosh, të pabanuara.

Ndërkohë që pastrimi i parave mbetet faktori kontribuues në rritjen e çmimeve të banesave në Tiranë dhe kryesisht në zonat bregdetare të Shqipërisë.

“Ndërsa Shqipëria ka disa nga normat më të larta të banesave të pabanuara në Europë, shkalla e mbipopullimit për popullsinë tejkalon 58 për qind, më e larta në Europë, me përjashtim të Malit të Zi. Këto pabarazi strukturore janë rezultat i rritjes së niveleve të pabarazive sociale dhe hapësinore.

Boshatisjet kanë rrjedhur nga emigracioni masiv nga zonat më të varfra dhe rurale, nga njëra anë, duke rezultuar në prona të shumta të shkreta. Nga ana tjetër, grupet më të pasura kanë investuar në prona të reja si një “strehë e sigurt”, shpesh duke i lënë këto prona të pabanuara. Kjo vetëm gjeneron kërkesë të mëtejshme dhe rritje të çmimeve në zonat me kërkesë të lartë.

Pastrimi i parave ka qenë një tjetër faktor kontribuues në rritjen e çmimeve të banesave në Tiranë dhe në zonat bregdetare të Shqipërisë. E kombinuar me të ardhurat mesatare të ulëta të disponueshme të familjeve, e bën blerjen e një shtëpie të re në zonat e dëshiruara të papërballueshme për shumicën. Kjo ka çuar në norma të larta të mbipopullimit, veçanërisht në mesin e grupit me të ardhura të ulëta. Tirana është një nga shtatë qytetet kryesore europiane me nivelet më të larta të papërballueshmërisë së banesave”.

Në fund të raportit thuhet se ndërtimet e reja të pallateve tani synojnë segmente të banesave me çmim të lartë në zona me kërkesë të lartë dhe janë të papërballueshme për shumicën e popullsisë.