Djali i presidentit të Serbisë Aleksandër Vuçiç është përfshirë në sherrin mes tifozëve serbë dhe atyre anglezë para ndeshjes së djeshme.
Pamjet e publikuara në media tregojnë momentin kur Danilo Vuçiç lufton me truprojat e tij për t’u futur në sherrin mes ultrasve serbë dhe tifozëve anglezë. Edhe pse rojet e sigurisë, anëtarë të njësisë speciale ‘Cobra’ përpiqen ta ndalojnë me forcë dhe mbajnë larg këtij sherri, djali i Vuçiçit ikën prej tyre dhe bashkohet me ultrasit serb.
Sipas TheSun, Danilo njihet për lidhjet e tij me ultrasit serbë, grupet ekstremiste dhe bandat kriminale. Ai ka qenë subjekt i polemikave edhe më parë në incidente të ndryshme si në Serbi ashtu edhe vende të tjera. Në vitin 2021, u zbuluan një sërë krime të tmerrshme të kryera nga një bandë e udhëhequr nga huligani famëkeq i futbollit Veljko Belivuk dhe djali i Vuçiç Danilo ishte fotografuar me ta.
Në sherrin e ndodhur dje në Gelsenkirchen rreth orës 15:30, tavolina, karrige dhe shishe u hodhën në drejtim të tifozëve dhe shumë prej tyre u gjakosën. Në fillim u tha se në sherr ishin përfshirë edhe shqiptarë, por ishte policia gjermane ajo që përgënjeshtroi këto lajme dhe arrestoi 7 shtetas serb për dhunën ndaj anglezëve.