Ish- Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Lordi George Robertson, e ka të varur në zyrën e tij një pikturë të dhuruar nga fëmijët e Poklekut të Drenasit.
Në të janë të paraqitura disa lule mbi eshtrat e trupave të vrarë në këtë fshat gjatë luftës së fundit në Kosovë.
Atë pikturë, ai thotë se ia rekomandon ta sheh kushdo që e viziton zyrën e tij në parlamentin britanik.
Për krimin që kishte ndodhur në Poklek, për përjetimet e asaj kohe si njeri me ndikim, për vizionin për një Kosovë multietnike, dhe për shumëçka tjetër që ka të bëjë me sigurinë rajonale e gjithëbotërore, Robertson flet në një intervistë në KallxoPërnime.
Pas dhunës së tmerrshme të ushtruar nga ushtria e Millosheviqit dhe paraushtarakët serbë, ai thotë se do të ishte e pamundur të pritej që në Kosovë të krijohej një Zvicër apo Skoci brenda natës.
I ardhur në Kosovë në shënim të 25-vjetorit të çlirimit, Robertson gjatë intervistës ka folur për rastin e Banjskës, me ç’rast ka kërkuar nga komuniteti ndërkombëtar t’i dënojë aktet e tilla dhe në asnjë mënyrë të mos lejojë kthimin e dhunës së viteve të 90-ta, qoftë në veri të Kosovës, qoftë në Serbi, qoftë në Republikën Sërpska.
Ai ka përkujtuar se pas luftës në Kosovë ka pasur shumë hakmarrje e dhunë, por ka thënë se pajtimi është e vetmja zgjidhje në këso raste. Si shembull ka marrë rastin e Irlandës së Veriut, kur Mbretëresha tashmë e ndjerë [Elizabeth II] ka shtrënguar duart me Martin McGuinness, me njeriun që kishte qenë komandant i IRA-s, kur IRA tentoi ta vriste kryeministren e Mbretërisë së Bashkuar, Margaret Thatcher.
Robertson ka folur edhe për figurat politike me ndikim në Kosovë me të cilët ka pasur kontakte pas luftës.
Ish-presidentin e ndjerë, Ibrahim Rugova, e ka cilësuar si njeri që kishte dinjitet dhe të pa mëkat. Ish-kryeministrin, Bajram Rexhepi [i ndjerë], e ka kujtuar si person të këndshëm, të qetë dhe serioz.
Për Hashim Thaçin ka thënë se është “lider i lindur” që mbase një ditë mund të kthehet sërish në skenë. Një vlerësim pozitiv e ka dhënë edhe për Agim Çekun, përderisa ka folur edhe për natyrën e Carla Del Pontes.
Ish-sekretari i Mbrojtjes në kohën kur qeveria britanike është drejtuar nga Tony Blair, e ka pranuar se NATO është vonuar në intervenim në Bosnjë e Hercegovinë, për sa kohë që ka shprehur qëndrimin edhe rreth luftës në Ukrainë.
Ai ka thënë haptas se Ukrainës po i ndihmohet ushtarakisht, por Britania e Madhe nuk dëshiron një Luftë të Tretë Botërore mes NATO-s dhe Federatës Ruse.
“Po mundohemi të shmangim një luftë të tillë”, ka thënë ai.
Robertson ndër tjera ka folur edhe për rrezikun që i kanoset Ballkanit dhe jo vetëm, nga propaganda dhe dezinformimi nga Rusia.