Janë gjetur trupat e çiftit nga Resnja, të cilët ranë në një humnerë prej 200 metrash të thellë dhe humbën jetë në Parkun Nacional të Galiçicës afër Ohrit.
Me automjet kanë dalë nga rruga rajonale Tërpejca – Prespë që shpie përgjatë malit.
Të dy trupat janë dorëzuar për obduksion.
“Në humnerë përgjatë rrugës Ohër – Oteshevë, nëpunësit policorë me ndihmën e paragliderëve e kanë gjetur automjetin e pasagjerëve “Volksëagen Golf” me targa të Resnjës dhe në afërsi të tij janë gjetur dy persona të vdekur. Vdekjen e personave e ka konstatuar mjeku i ndihmës së shpejtë, ndërsa punonjësit e policisë kanë konstatuar se bëhet fjalë për M.H (59) dhe M.H (56)”, thonë nga MPB.
Gjatë tërheqjes së personave ka marrë pjesë edhe një ekip i shërbimit të shpëtimit malor nga Ohri.
“Shërbimet ishin të pafuqishme sepse ishte e nevojshme përdorimi i teknikave dhe pajisjeve speciale për ta kryer aksionin”, tha Antonio Dodevski – shërbimi i shpëtimit malor.
Kjo rrugë prej dekadash është në gjendje të keqe. Një pjesë e rrugës është e dëmtuar dhe e pasigurt, ndërsa në dimër mbyllet tërësisht, pasi askush nuk e mirëmban.
Edhe gjatë verës lëvizja përgjatë saj është me rrezik, sepse në disa vende është mjaft e ngushtë dhe e paqasshme.
“Ka pasur iniciativë për rikonstruksionin e rrugës. Arriti deri në gjysmë të rrugës. Pjesa nga ana e Resnjës ishte e asfaltuar, por nuk u përfundua. Evidente janë dëmtimet edhe në mbrojtëset edhe në sinjalistikë. Ky është aksidenti i parë i tillë në një terren kaq të paarritshëm, që ndodh në një park nacional. Kemi pasur edhe më parë aksidente të tjera trafiku”, tha Antonio Dodevski – shërbimi i shpëtimit malor.
Pyetëm edhe Ndërmarrjen Publike për Rrugët Shtetërore se pse ndërmarrja nuk ndërmerr asgjë për rindërtimin e kësaj rruge, por nuk morëm përgjigje.