Detaje për vrasjen e 37-vjeçarit, dy të arrestuarit u zbuluan nga letra që e la i vetëvrari dhe nga pamjet e kamerave

Dy persona janë arrestuar për fajde dhe shtytje në vetëvrasjen e 37-vjeçarit nga Lipjani, B.S.

Të arrestuarit janë (babë e bir) Skender dhe Albion Tasholli nga Komuna e Lipjanit.

Skenderi është babai i asamblistes së Lidhjes Demokratike të Kosovës në Lipjan, Albiona Tasholli.

Emrat e tyre dyshohet se janë shkruar në një letër që ka lënë 37-vjeçari B.S, i cili dyshohet të ketë qenë viktimë e fajdeve dhe si pasojë e presionit nga të arrestuarit dyshohet se ka kryer vetëvrasje.

Në atë letër përmenden emrat e tre të dyshuarve, por identiteti i dy prej tyre doli në dritë edhe përmes video incizimeve të marra nga biznesi i Salihut.

Zëdhënësja e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Laureta Ulaj e konfirmoi sot se dy të dyshuarit janë ndaluar me urdhër të prokurorit kujdestar.“Prokurori kujdestar ka lëshuar aktvendim mbi ndalimin e dy personave, të dyshuar per veprat penale “Shtytja në vetëvrasje” dhe “Fajdeja”, sipas KPRK-së”, tha Ulaj për Gazeta10.

Prokuroria në koordinim me Policinë janë duke ndërmarrë veprime hetimore lidhur me këtë rast.

B.S u gjet pa shenja jete në Çagllavicë të martën. Vdekja e tij u konfirmua nga ekipi mjekësor në vendin e ngjarjes.