Emigrantët po sjellin më shumë para, 241 milionë euro në tre muaj

Rritja e çmimeve për ushqimet dhe qiratë po e bën më të vështirë jetën e shqiptarëve dhe kryesisht të moshuarve në vend.

Përballimi i këtyre çmimeve vetëm me një rrogë apo pension që marrin është i pamjaftueshëm, prnadaj fëmijët dhe të afërmit e tyre në emigrim po u dërgojnë atyre më shumë para.

Sipas të dhënave zyrtare nga Banka e Shqipërisë, në tre muajt e parë të vitit remitancat kapën nivelin e 241 milionë eurove që do të thotë se emigrantët shqiptarë iu dërguan familjeve të tyre 241 milionë euro.

Këto të dhëna tregojnë se krahasuar me të njëjtën periudhë të të një viti më parë, remitancat janë rritur me 28 milion euro apo 13 për qind.

Këtë nevojë për më shumë para nga emigrimi e pranojnë edhe vetë qytetarët pasi jetesa në Shqipëri është bërë e kushtueshme.

“Tani që janë rritur çmimet jemi të detyruar që t’u kërkojmë fëmijëve më shumë para. Unë kam vëllezërit që më ndihmojnë se përndryshe…”

Sipas të dhënave nga Instituti i Statistikave, dy qarqet më të varfra të vendit, Kukësi dhe Dibra, janë edhe ato që kanë varësinë më të lartë nga remitancat. Njëkohësisht, në rang vendi, 26 për qind e familjeve shqiptare që marrin para nga jashtë, kanë më pak të ardhura në dispozicion se sa pjesa tjetër.