Italiani e shau kur po shkonte te mbesa, ky është shqiptari i vrarë në Itali

Ilirjan Minaj është 61-vjeçari shqiptar që u vra me thikë nga fqinj i mbesës së tij mbrëmjen e kaluar në qendër të Bibbianos, Itali.

Shqiptari i cili punonte si murator dhe banonte prej shumë kohësh në qytet, u vra me thikë gjatë një sherri me 41-vjeçarin italian. Ky i fundit e ka goditur në gjoks dhe në fytyrë, duke e lënë të pajetë në derën e shtëpisë së tij në katin e dytë të pallatit.

Sipas banorëve të lagjes, që kur Riccardo Stefani, 41 vjeç ishte kthyer të jetonte me nënën e tij, situata në lagje ishte bërë e papërballueshme. Vrasësi përshkruhet si një ngatërrestar gjithmonë i gatshëm për të mërzitur kalimtarët me kërkesat për para dhe për të shqetësuar fëmijët që luanin në oborrin e pallatit.

Shkak për vrasjen e shqiptarit dyshohet se është bërë një mosmarrëveshje që ka ndodhur pak ditë më parë për arsye të dobëta. Më pas, mbrëmë, teksa muratori shqiptar po kthehej në shtëpi, italiani ka sharë shqiptarin i cili në atë moment i kishte rënë ziles që mbesa e tij të hapte derën dhe të futej në pallat.

Por italiani po e priste në katin e dytë para derës së shtëpisë dhe me një thikë kuzhine e ka goditur disa herë duke i marrë jetën.

Fjala për vrasjen u përhap menjëherë në komunitetin shqiptar dhe banorët e zonës, pasi mbesa e Ilirjan Minajt banon së bashku me bashkëshortin e saj në të njëjtën godinë me vrasësin dhe mbrëmë në momentin e vrasjes, në shtëpinë e saj ndodhej edhe vajza 19-vjeçare e viktimës.

Italiani i arrestuar tani ndodhet në burg por se çfarë ka ndodhur në minutat para tragjedisë do të duhet të konstatohet nga hetimet e policisë.