Këngëtarja shqiptare ngacmohet në skenë nga djali i miliarderit grek, mediat fqinje heshtin

Eleni Foureira, këngëtarja me origjinë shqiptare e cila vazhdon karrierën e saj në Greqi është përballur me një incident të pakëndshëm.

Teksa ishte duke performuar në skenë gjatë një koncerti, këngëtarja shqiptare është ngacmuar nga djali i miliarderit të njohur grek, Evangelos Marinakis.

Miltiadis Marinakis është ngjitur në skenë dhe i ka marrë mikrofonin këngëtares, ndërsa i është afruar për ta prekur pa dëshirën e saj. Në pamjet e publikuara në rrjetet sociale, duket këngëtarja që përpiqet të largohet prej tij, por djali i miliarderit vazhdon ta bezdisë.

Më pas nga tavolina e miqve të të riut, kanë hedhur shampanjë dhe këngëtarja e ka ndërprerë këngën e mërzitur duke thënë:

“Dëgjoni, gjithçka është shumë e bukur, por duke qenë se po bëj punën time nuk është e mirë kjo sepse sapo m’u fut shampanja në sy. Unë do të këndoj një këngë të fundit dhe do ta shkurtoj shfaqjen, më vjen keq”.

Ajo që të bën çudi nga e gjithë kjo ngjarje është se për asnjë moment sigurimi nuk ka ndërhyrë për të larguar djalin e miliarderit nga skena. E sikur të mos mjaftonte kjo, babai i tij që zotëron klubet e futbollit Olimpiacos, Nottingham Forest, Rio Ave si dhe rrjetet televizive greke Mega Channel dhe One Channel ka bërë çmos që ky incident të mos publikohet në asnjë media greke dhe e gjithë ngjarja të kalojë në heshtje.