Kishte denoncuar 3 herë burrin për dhunë në familje, kush është shqiptarja e vrarë në Greqi?

Enkelejda Danaj është 40-vjeçarja shqiptare që u gjet e vrarë mëngjesin e sotëm në Menidi, Greqi.

Autoritetet greke kanë dyshime se pas kësaj vrasje me thikë dhe braktisjes së trupit në rrugë, mund të fshihet bashkëshorti i saj.

Sipas informacioneve të deritanishme rezulton se 40-vjeçarja, si në të shkuarën e afërt ashtu edhe një dekadë më parë, i është drejtuar tre herë autoriteteve dhe ka denoncuar bashkëshortin e saj për dhunë në familje.

Denoncimi i parë është bërë më 3 prill 2013, ku gruaja ka denoncuar partnerin e saj për dhunën në familje. Më pas burri u arrestua dhe u dërgua në prokurori. Denoncimi i dytë është bërë më 18 shtator 2022 ku viktima ka denoncuar burrin e saj të larguar për kërcënime , lëndim fizik dhe fyerje. Burri u arrestua sërish dhe u dërgua në prokurori. Në këtë pikë duhet theksuar se kishte një urdhër gjykate në bazë të të cilit burrit i ndalohej të jetonte me viktimën, por ajo vetë e kishte lejuar që në vitin 2018.

Ankesa e fundit është bërë më 7 maj 2024 , sërish për dhunë në familje (kanosje, lëndim fizik dhe fyerje). Burri u arrestua dhe u dërgua në prokurori, ndërsa për të premten, më 17 maj 2024 do dilte para gjykatës.

Nga ana tjetër shqiptarja ishte urdhëruar për ekspertizë mjeko-ligjore dhe i ishin dhënë informacione, udhëzime dhe materiale të printuara për të marrë, nëse dëshironte, ndihmën e nevojshme nga organet kompetente. Përveç kësaj, ajo ishte informuar për mundësinë e instalimit të aplikacionit “Panic Button” në celularin e saj dhe transferimin në një strukturë sociale, por ajo nuk kishte pranuar.

Tashmë hetimet e autoriteteve greke janë drejtuar nga bashkëshorti i shqiptares, Eduart Danaj, i cili është në kërkim por ende nuk është gjetur.