Kishte pirë kokainë dhe alkool, burgim i përjetshëm për shqiptarin që vrau të dashurën

Qamil Taja, 27-vjeçari shqiptar që më 3 dhjetor të vitit 2022 në Kaminia të Pireut, vrau të dashurën shqiptare, Kristjana Brakaj, është dënuar me burgim të përjetshëm nga Gjykata e Pireut .

Shqiptari u akuzua se pa hezitim ka rrëmbyer armën, ia ka drejtuar partneres 19-vjeçare dhe e ka qëlluar në kokë.

Ngjarja e rëndë filloi të zbardhej rreth orës 10:30 të mëngjesit të së shtunës, 3 dhjetor 2022, kur autori u paraqit në Komisariat dhe me ton të qetë u tha efektivëve fjalë për fjalë:

“Dua të dorëzohem, kam përdorur drogë dhe alkool dhe gjatë përleshjes me të dashurën time e kam qëlluar”.

Menjëherë efektivët e policisë shkuan në banesën ku çifti jetonte në Kaminia dhe gjetën trupin e 19-vjeçares të shtrirë në divanin e dhomës së ndenjes.

Gjatë kërkimit të faljes, i riu shqiptar pretendoi se ishte nën efektin e alkoolit dhe drogës dhe shprehu pendim. Avokati i babait të vajzës që u vra, tha për mediat greke se familja është e kënaqur me vendimin e gjykatës.

Si ndodhi krimi:

Në orët e para të datës 3 dhjetor 2022, çifti u takuan në shtëpinë ku jetonin në Pire pasi të dy ishin duke punuar deri vonë në klubet e natës në Troumba dhe Kallithea. Me të mbërritur në shtëpi ka nisur sherri për një Story në Instagram me motive xhelozie. I riu shqiptar, i inatosur dhe nën ndikimin e kokainës, ka nxjerrë pistoletën që kishte fshehur poshtë divanit dhe e ka qëlluar nga afër të dashurën shqiptare. Më pas, sapo ka kuptuar se çfarë kishte bërë, është dorëzuar vetë në Polici.