Kristaqi, 75-vjeçari me trup atleti që bën ngjitje në mal

Kristaq Grabocka është një 75-vjeçar nga Korça i cili pavarësisht moshës, prej 4 dekadash bën ngjitje në mal.

“Kiçi” siç e njohin të gjithë korçarët është i apasionuar pas ngjitjeve në mal dhe as bora e i nxehti ‘afrikan’ nuk e ndalin dot pasionin e tij.

Këtë fundjavë, ai dhe miqtë e tij kanë qënë në Dardhë dhe prej andej kishin si destinacion fshatin e njohur të Sinicës, por bllokimi i rrugës për këtu për shkak të punimeve i detyroi të stacionohen në Dobërgorë.

‘Jemi në vendin e shenjtë Dobërgorë së bashku me miqtë dhe akualisht po shijojmë drekën’.

Javën e kaluar ai dhe miqtë e tij ishin në Bradvicë të Devollit ku festohej Shën Konstandini dhe Elena.

Pasioni i tij për ngjitje në mal dhe ecje i kanë dhuruar një trup atleti e të tonifikuar që edhe të rinjtë do e kishin zili.

‘Unë plazhin e filloj që në dimër, kur bie dëborë, tani që fillon vera e kam përfunduar’.

Ngjitjet në mal dhe pasionin e këtij sporti e ka filluar aty nga viti 1985. Tani kur po bëhen rreth 4 dekada as që mendon të ndalet, përkundrazi.

‘Na u bë si sëmundje ky sport, nuk mund të rrimë pa u ngjitur në mal’.

Të përditshme i ka ngjitjet mbi Korçë, në një distancë deri në 15 kilometra vajtje dhe kthim.