Majmuni ‘mistrec’ nuk ndalet, shkon në azilin e të moshuarve dhe sulmon kujdestaren

Majmuni “mistrec” që prej disa kohësh endet i lirë rrugëve të Tiranës, tani ka përfunduar në një azil për të moshuarit.

Mësohet se ditën e sotme majmuni ka sulmuar kujdestaren e qendrës së të moshuarve. Punonjësit e kësaj qendre kanë njoftuar menjëherë policinë, por siç ndodh zakonisht në vendin tonë, puna zvarritet pa dhënë asnjë zgjidhje.

Policia e Shtetit ia ka kaluar kompetencën e këtij problemi, Policisë Bashkiake por as kjo e fundit s’e ka pranuar dhe “topin” ia ka kaluar kopshtit zoologjik.

Por duke qenë se deri më tani askush nuk e ka marrë përsipër largimin e majmunit, ai ka ngelur te qendra e të moshuarve. Drejtoresha e qendrës së të moshuarve thotë se ajo, punonjësit dhe 20 të moshuarit ndihen të kërcënuar pasi majmuni është agresiv.

Edhe pak ditë më parë JOQ ALBANIA denoncoi majmunin agresiv rrugëve të Tiranës, por pa asnjë zgjidhje nga autoritetet përgjegjëse.