“Më tërhoqi zvarrë për flokësh”, i shpëtoi vdekjes në duart e burrit, Edlira: Kam 17 plagë thike në trup

Edlira Shahu, është gruaja që i shpëtoi vdekjes pasi bashkëshorti e masakroi me thikë në mes të natës.

46-vjeçarja e cila vazhdon të jetë në spital ka treguar ngjarjen e rëndë me bashkëshortin, mesnatën e 23 majit. Sipas saj, atë natë bashkëshorti nuk kishte pirë dhe s’ishte i dehur, por papritur kishte nisur ta ofendonte dhe dhunonte.

Ajo thotë se atë natë, bashkëshorti e ka goditur 17 herë me thikë dhe 3 plagë ka vetëm në qafë por për fat të mirë ka shpëtuar.

“Atë natë ishim mirë, shkuam në shtëpi, darkuam dhe u shtrimë, ora ishte 10:30 të darkës. Nuk patëm debat së bashku, ishte i qetë, edhe në krevat mu luste ‘thoshte të vdesësh”. ‘Po pse të vdes çfarë të kam bërë, çfarë po të bëj’. Më gjuajti me grusht, nuk ishte i pirë. Nuk mi kishte thënë herë tjetër, ishte shumë xheloz, më akuzonte për gjëra kot. Më kapi nga flokët më nxori nga dhoma më tha ‘sonte për ty nuk ka shpëtim, do të vras”. Bërtita, më kapi për flokësh dhe më çoi tek kuzhina, kishte thikë tek dora më godit tek fyti 3 herë, edhe në fytyrë kokë. Vetëm më gjuante ‘di do të vdesësh, nuk do të jetosh më’. Më gjuante, kishte ca kohë që çdo ditë më gjuante. 17 plagë me thikë i kam vetëm tek dy duart. Falënderoj Zotin që jam gjallë. Ai mos paftë kurrë dritë me sy. Punoja, kisha të ardhura. Kam shumë plagë në trup. Në brinjë shumë. Në qafë kam tre goditje”.

Edlira u shpreh se e ka denoncuar bashkëshortin disa herë për dhunë në familje, por i vinte keq pasi ai ishte i sëmurë, duke shtuar se “e doja, e kam dashur gjithmonë”.

“U fiksonte me gjërat, edhe me njerëzit që kalonin. E kam denoncuar disa herë në komisariat, e arrestuan 4 muaj. Më vinte keq se ishte i sëmurë, e doja dhe e kam dashur gjithmonë, kam bërë shumë sakrifica për të. Ka qëndruar në burg, e kam pritur. Kam bërë shumë sakrifica, por nuk ia ka vlejtur. Jakupi kishte krijuar konflikte edhe tek restoranti ku punoja. Fiksohej kot me xhelozira pa baza”.