Mjeku ligjor: Vdekja e Marigonës ka ardhur si pasojë lëndimeve të shumëfishta

Në Gjykatën Themelore në Ferizaj ka vazhduar seanca e rigjykimit ndaj Dardan Krivaqës dhe Arbër Sejdiut, të dyshuar për dhunimin dhe vrasjen e Marigona Osmanit.

Në seancën e kaluar të shqyrtimit gjyqësor, trupi gjykues ka marr vendim që të dëgjohet eksperti i mjekësisë ligjore Naim Haliti, që ka marr pjesë në përpilimin e autopsisë ndaj të ndjerës Marigona Osmani.

Në sallën e Gjykatës, mjekoligjori Haliti tha se qëndron pas raportit të autopsisë që ka përpiluar pas ekzaminimit të vdekjes së Marigona Osmanit.

“Autopsinë e të ndjerës e kemi kryer me datë 22.8.2021 në Mjekësin Ligjore në Prishtinë, me urdhëresë nga prokurori Valdet Avdiu. Me ketë datë e kemi kryer edhe ekzaminimin e jashtëm dhe të brendshëm të kufomës si dhe provat biologjike. Ekzaminimi është kryer konfirm standardeve evropiane me kushtet që posedon IML në Prishtinë”, tha Haliti.

Ai foli edhe për mënyrën se si ka ardhur deri të vdekja e të ndjerës Osmani.

“Kemi përshkruar se vdekja e së ndjerës ka ardhur si pasojë lëndimeve të shumëfishta që quhet si poli traumë që kanë ardhur ai pasojë e dëmtimit të organeve vitale që kanë qenë të shkaktuar nga mjetet e topitura”, tha ai.

Gjykatësi e pyeti për detajet që i ka dhënë Haliti në autopsi, përfshirë lëndimet e shumta, thyerje të brinjëve, etj.,

“Pas ekzaminimit të kufomës, i kemi shkruar të gjitha lëndimet, politrauma duhet të specifikohet çdo lëndim veç e veç, mekanizmi i vdekjes mund të jetë i ndryshëm, nga asfiksia, përplasja goditja. Këto lëndime kanë qenë për së gjalli”, tha Haliti.

Kujtojmë se më 4 gusht 2023, Gjykata Themelore e Ferizajt e ka dënuar me burgim të përjetshëm Dardan Krivaqën për vrasje e Marigona Osmanit. Ndërsa Arbër Sejdiu ishte dënuar me 15 vite burgim për ndihmë në vrasjen e rëndë në bashkëkryerje. Krivaqa e Sejdiu, ndërkaq ishin liruar nga vepra penale të dhunimit.

Por, Gjykata e Apelit me aprovimin e ankesës së Prokurorisë Themelore në Ferizaj dhe mbrojtjes së dy të akuzuarve, e ka kthyer çështjen në rigjykim. Marigona Osmani, 18 vjeçe u vra më 22 gusht të vitit 2021 në banesën e të akuzuarit kryesor, Dardan Krivaqa, në qytetin e Ferizajt.