Përlot nëna e 24-vjeçarit që humbi jetën në gurore: E kam rritur me shumë halle, dua drejtësi

Më 21 maj, një aksident i rëndë në punë i mori jetën 24-vjeçarit Jurgen Veshi në Vlorë. I riu bënte punë të rëndë në gurore për të mbajtur familjen me 6 anëtarë.

Jetonte prej 15 vitesh ne fshatin Brataj të Selenicës, ndërsa kishte ardhur në këtë fshat nga Dibra. Nëna dhe njerku janë të pa punë, ndërsa vëllezërit dhe motra në shkollë.

Jurgeni humbi jetën tragjikisht pasditen e së martës, kur një masiv guri u shkëput nga mali dhe e zuri poshtë.

Gjyshja dhe nëna e të ndjerit kanë rrëfyer për emisionin “Me zemër të hapur” jetën e vështirë që kishte kaluar i riu.

Gjyshja e tij shprehet se janë mosbesues ndaj deklaratave që janë bërë lidhur me vdekjen e Jurgenit, madje vëllai i tij është kthyer sërish në vendin e ngjarjes dhe ka fotografuar çdo gjë me detaje.

“I kemi sytë me gjak për atë djal se është rritur me shumë sakrifica, por ne duam të vërtetën”, shprehet gjyshja e Jurgenit.

Më tej edhe nëna e të ndjerit rrëfen me lot në sy dhe shumë dhimbje se si u braktis nga bashkëshorti i saj i parë (babai i Jurgenit). Ajo tregon se djalin e ka rritur me të afërmit e saj dhe që i vogël Jurgeni ka punuar për të ndihmuar familjen e tij.

“Ditën e fundit që e përcolla për në punë, mezi po prisja të kthehej. Ora kaloi dhe unë u bëra merak e thirra disa herë në telefon thotë ajo, por më pas më komunikuan se ndodhet në spital në Vlorë në gjendje kome”, rrëfen e ëma e Jurgen Veshit.

Pjesë nga deklarata e gjyshes së Jurgen Veshit:

Ne nuk i besojmë deklaratve që janë dhënë, ai që e ka bërë të vij e të na thojë. Edhe nëse ishte gabim apo nëse dikush e ka bërë gabimisht. Ne nuk e pranojmë dhe nuk e besojmë atë që thuhet.

Djali i math ka shkuar dhe ka bërë fotografi të gjitha, i ka bërë nga e para skemat foto sepse ne i kemi syt me gjak, ne duam drejtësi dhe të vërtetën. Jurgeni ka qenë një djal i rritur me shumë sakrifica e shumë i rregullt.

Pjesë nga deklarata e të ëmës së Jurgenit:

E kam rritur me shumë halle, e kam rritur me njerkun. Babai i Jurgenit na ka braktisur, e kam rritur me njerëzit e mi, më pas erdha në Brataj. Këtu u martova sërish.

Kushtet e vështira ekonomike e detyruan Jurgenin të dilte në punë çdo ditë, e të punonte shumë për të na blerë ilaçet. E përcolla në punë e po prisja orarin të vinte, atë dit u bëra merak se kaloi ora e pastaj mora vesh që është në gjendje kome në Vlorë në spital.