Gjykata Kushtetuese ka pranuar pjesërisht padinë e opozitës lidhur me Rregulloren e Kuvendit, duke bërë disa ndryshime në masat disiplinore të përjashtimit të deputetëve. Megjithëse përjashtimet prej 30-60 ditësh janë lënë në fuqi, gjykata ka kufizuar rastet kur këto masa mund të përdoren.
Gjykata vendosi që për rastet e dhunës mes deputetëve, nuk do të aplikohet përjashtimi prej 30 ditësh, por vetëm masa prej 10 ditësh, duke argumentuar se marzhi prej 10-30 ditësh lë hapësirë për arbitraritet.
Por përjashtimi me 30 ditë do të aplikohet për rastet kur deputeti:
Dëmton pajisjet e Kuvendit
Bën shkelje të përsëritura
Përjashtimi prej 60 ditësh do të aplikohet vetëm në rastet kur një deputet përdor lëndë piroteknike, duke e konsideruar këtë veprim si të paramenduar.
Ndërkohë, përjashtimi prej 60 ditësh nuk do të lejohet për veprimet që janë vepra penale ose kur janë të përsëritura, pasi gjykata e konsideron këtë një masë ekstreme që cënon të drejtën e deputetit për të ushtruar demokracinë përfaqësuese.
Gjithashtu, gjykata la në fuqi nenin për mbledhjet online në kohë të zakontë (jashtë fatkeqësive apo emergjencave), duke argumentuar se Kuvendi ka autonomi për të vendosur rregullat e veta.