Shpopullimi i Shqipërisë: Numri i maturantëve ra me 34% në dhjetë vjet

Të hënën më datë 3 qershor, maturantët iu nënshtruan provimit të anglishtes, i pari në listën e provimeve përmbyllëse në studimet e detyrueshme të ciklit parauniversitar.

Por ashtu si edhe vitet e tjera, numri i maturantëve është ulur dhe këtë e tregojnë më së miri të dhënat zyrtare nga Ministria e Arsimit.

Sipas këtyre të dhënave numri i maturantëve gjatë 10 viteve të fundit ka pësuar rënie me 34%. Në vitin 2014, në provimet e maturës morën pjesë 42,318 nxënës, ndërsa këtë vit, rreth 28 mijë maturantë, 14 mijë më pak ose -34%. Numri i maturantëve këtë vit rezulton të jetë reduktuar me 7% në krahasim me vitin 2023.

Por një reduktim i numrit të maturantëve do të thotë më pak studentë në universite dhe më shumë degë universitare të mbyllura.

Nëse vitin e kaluar në universitet u regjistruan rreth 22 mijë maturantë, nga rreth 30 mijë gjithsej, shifrat e këtij viti sugjerojnë se në shtator numri i të rinjve që do i drejtohen auditorëve do të jetë edhe më i ulët.

Një numër i ulët i të diplomuarve në universitet rrjedhimisht do të thotë mungesë profesionistësh në të gjithë sektorët e tregut të punës. Ndërkohë që rënia e cilësisë mësimore pritet të vështirësojë edhe më shumë situatën pasi bizneset dhe qeveria janë angazhuar që të përmbushin mungesat me punonjës të huaj.

Ndërsa zhvillimet demografike dhe emigrimi masiv lajmërojnë se gjatë dekadës në vijim do të thellohet edhe më tepër rënia e numrit të maturantëve dhe studentëve