Vitet e fundit plaga më e madhe e shoqërisë shqiptare është emigrimi i vazhdueshëm që ka shkaktuar pasoja të forta në jetën shoqërore dhe ekonomike të vendit.
Sipas të dhënave zyrtare, në mënyrë të ligjshme që nga viti 2014 e deri më tani janë larguar nga Shqipëria 478 mijë qytetarë. Por shifra reale e atyre që kanë lënë vendit është shumë e lartë, po të kemi parasysh emigracionin ilegal, ku një pjesë e madhe janë edhe fëmijë e të mitur.
Të dhënat e Institutit Europian të Statistikave tregojnë se Shqipëria ka nivelin më të lartë të emigracionit në rajon. Ndërkohë që fqinjët tanë në Malin e Zi kanë nivelin më të ulët.
Ndër shkaqet kryesore që i shtyjnë shqiptarët drejt emigrimit janë arsyet familjare, punësimi dhe nevoja për një arsimim më cilësor.
Vlen të thuhet se emigrimi i të rinjve për këto arsye, po shfaq pasojat që tani pasi numri i popullësisë po pakësohet dhe kjo sjell plakjen e saj, shkakton mungesa të fuqisë punëtore në tregun e punës, tkurr konsumin dhe ul produktivitetin e ekonomisë.