Shqipëria është renditur në vendin e 116 në botë nga Forumi Ekonomik Global sa i përket Arsimit, teksa një vit më parë renditej në vendin e 33, duke pësuar një rënie me plot 83 vende.
Ish-ministri i Arsimit, profesor doktor Myqerem Tafaj, i ftuar në një program televiziv tha se më pak nxënës shkojnë sot në gjimnaze dhe se numri i maturantëve ka pësuar rënie drastike. Tafaj tha se edhe shpopullimi sjell pasoja për arsimin, pasi personat që jetojnë në zona të largëta të Shqipërisë, nuk kanë kopsht ose shkollë në vendbanim ose bëjnë mësim në klasa të përbashkëta.
Myqerem Tafaj: Shqipëria ka pësuar rënie më shumë se 80 vende. Besoj se një rol të madh në këtë rënie të arsimit ka luajtur raporti i Pisa 2022. Tetë përqind më pak nxënës të 9-vjeçares nuk shkojnë në gjimnaz. Pra, më pak nxënës shkojnë në gjimnaze. Është braktisur më shumë arsimi 9-vjeçar dhe ai i mesëm. Braktisja ka lidhje me varfërinë, por edhe pamundësinë. Kjo ndodh më shumë në zona rurale. Kemi largim masiv të qytetarëve në zona më të largëta ta themi. Nëse një zonë shpopullohet, nuk ka kopsht më, nuk ka shkollë më. Është ulur në mënyrë drastike numri i maturantëve. Lindshmëria është ulur tejet mase dhe emigrimi ka ardhur në rritje. Në cilësinë e arsimit, nuk po përmirësohemi aq shumë sa duhet.
I vetmi kriter për të matur cilësinë e arsimit, është testi internacional. Duhet të shohim ku jemi në raport me vendet e rajonit e më pas me vendet e BE-së, kemi rrugën e gjatë. Sa i përket universitetit, kandidatët që duan të konkurrojnë për dekan, duhet të mbështeten tek objektivat.