Daku shau maqedonasit, Federata: Të kërkojë falje, UEFA të marrë masa disiplinore - Today News

Daku shau maqedonasit, Federata: Të kërkojë falje, UEFA të marrë masa disiplinore

Federata e Futbollit të Maqedonisë ka reaguar pas një video të bërë virale në rrjetet sociale ku futbollisti i Kombëtares shqiptare, Mirlind Daku shfaqet me megafon në fushë duke sharë maqedonasit.

Për këtë ngjarje të ndodhur ditën e djeshme, pas mbarimit të ndeshjes Kroaci-Shqipëri, ku Daku bëri debutimin e tij në Euro2024, federata ka kërkuar nisjen e hetimeve dhe marrjen e masave të duhura disiplinore.

Federata shprehet se Daku duhet të kërkoje falje pasi kjo sjellje e tij është e papranueshme dhe në kundërshtim me vlerat bazë të sportit dhe respektit të ndërsjellë që promovon futbolli.

Reagimi i plotë:

Shprehim shqetësimin tonë të thellë dhe dënojmë thirrjet nacionaliste të futbollistit të Shqipërisë Mirlind Daku drejtuar kundër shtetit të Maqedonisë pas ndeshjes së djeshme ndërmjet Kroacisë dhe Shqipërisë në Kampionatin Europian.

Një sjellje e tillë është e papranueshme dhe në kundërshtim me vlerat bazë të sportit dhe respektit të ndërsjellë që promovon futbolli.

Sporti, veçanërisht futbolli, është baza e një bashkëpunimi dhe respekti ndërmjet Kombësive të ndryshme.

Retorika nacionaliste, megjithatë, i minon këto parime, duke nxitur ndarjen dhe armiqësinë midis tifozëve dhe shoqërive.

Parimet politike janë të përfshira në rregulloret e shoqatave ndërkombëtare si FIFA dhe UEFA. Federata e Futbollit të Maqedonisë do t’i dërgojë një letër zyrtare UEFA-s për këtë sjellje skandaloze.

I bëjmë thirrje futbollistit shqiptar Mirlind Daku që të kërkojë falje publike për sjelljen e tij dhe për dëmin që ka shkaktuar.

Gjithashtu u bëjmë thirrje institucioneve përkatëse që të hetojnë këtë incident dhe të marrin masat e duhura disiplinore për të përforcuar standardet e sjelljes që priten nga të gjithë sportistët.

Angazhimi ynë për të promovuar unitetin, respektin dhe lojën e ndershme në sport mbetet parësor.