Ndryshime radikale në qeveri e Parlament, treçereku i ministrave e deputetëve nuk do të jenë në 2025, ja “tërmeti” që do të ndodhë në Partinë Socialiste, zbardhen emrat “VIP” të rrezikuar - Today News

Ndryshime radikale në qeveri e Parlament, treçereku i ministrave e deputetëve nuk do të jenë në 2025, ja “tërmeti” që do të ndodhë në Partinë Socialiste, zbardhen emrat “VIP” të rrezikuar

Kryeministri Edi Rama po përgatit të bëjë ndryshime drastike në qeveri për zgjedhjet e 2025. e raportoi ditën e djeshme se do të ketë ndryshime në drejtues qarqesh dhe ministrash. Por dje ka ardhur deklarata “bombë” nga ministrja për Parlamentin Elisa Spiropali. Ajo u shpreh se treçereku i qeverisë apo Parlamentit mund të mos jetë në këto pozita pas zgjedhjeve të vitit 2025. Përgjigjja e saj erdhi pas pyetjes se pse u ngritën tani dy komisionet e anti korrupsionit dhe dezinformimit, kur dihet që është sesioni i fundit parlamentar? “Nuk është çështje kohe, është çështje objektivi se ku do të arrish. Ky sesion mbaron shumë shpejt dhe nis edhe sesioni i fundit për këtë legjislaturë. Gjykuam që duhet tani. Komisioni për Mirëqeverisjen është një komision që ka për synim që të dalë me një plan veprimi. Parlamenti ka gjithë tagrin dhe hapësirën që ia jep Kushtetuta që të mundësojë që si ekzekutivi, institucionet e pavarura dhe ato të krijuara me ligj të raportojnë për disa çështje që janë aty në sytë e të gjithëve: raporti i BE-së me rekomandimet përkatëse. Kjo për ne nuk është çështje individësh apo identikitesh. Unë jam, mund të mos jem në Parlament apo në qeveri. Treçereku i qeverisë apo i Parlamentit është dhe mund të mos jetë në Qeveri apo në Parlament. Ajo që mbetet dhe është e pandryshueshme është dëshira, vullneti dhe puna jonë për të lënë një Shqipëri më të fortë”, tha ajo. Sinjalet që jep Spiropali janë se zgjedhjet e 2025 do të jenë me shumë surpriza.

Edi Rama po përgatit ndryshime të forta

Një gjë është e sigurt, ndryshimet do të ndodhin dhe ky fakt është paralajmëruar vetë nga Edi Rama gjatë deklaratave të tij të fundit. Ai iu ka mbyllur derën e kandidimit për në zgjedhjet parlamentare të vitit 2025 të gjithë zyrtarëve të lartë socialistë që janë përfshirë në afera korruptive e kriminale dhe që kanë llogari të hapura me drejtësinë. “Ky është një proces 10 vjeçar dhe këtu bëhet fjalë, se nuk dua fare t’i përmend ata njerëz sepse janë në hallet e tyre, dhe kanë mbaruar punë me mua dhe politikën dhe publikun, por bëhet fjalë për një numërim të caktuar që fillon ditën e parë, një. E dyta, pjesa më e madhe ose mos të tërë, kur kanë filluar të kenë probleme me drejtësinë, kanë qenë të larguar nga qeveria. Pra, kur më thua çfarë duhet të bëjmë ne, çfarë duhet të bëjmë ne faktikisht?”, ka thënë Edi Rama. Në këtë situatë, janë shumë ministra e deputetë që i kanë llogaritë e hapura me SPAK. Hetimet e dosjes së inceneratorit të Tiranës janë shtyrë deri në shtator. Përfundimi i hetimeve të kësaj afere do të detyrojë Ramën që të zhdukë nga lista e 2025 emra të rëndësishëm. Së fundmi në SPAK është thirrur për të dhënë llogari, kryebashkiaku Erion Veliaj, ministrja Belinda Balluku, por edhe Engjëll Agaçi. Po ashtu, të rrezikuar janë Niko Peleshi dhe Ogerta Manastirliu, të cilët i kanë llogaritë e hapura me SPAK. Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi është thirrur më 5 mars në SPAK. Peleshi është larguar nga ambientet e Prokurorisë së Posaçme pas thuajse më shumë se 2 orësh qëndrim. Peleshi u paraqit në orën 10:00 në zyrat e SPAK. Edhe pse nuk kanë dalë detaje zyrtare se për çfarë ka dhënë llogari, raportohet se ministri mund të jetë thirrur në lidhje me hetimin për inceneratorët, marrëdhëniet me Klodian Zoton, për procedurën e matësit e ujit kur ka qenë në bashkinë e Korçës, ose për lidhjet e tij me skandalet në ushtri, dosje të cilën SPAK po e heton prej 3 vitesh. Jashtë SPAK, ministri Peleshi, tha shkurtimisht për gazetarët se ‘ishte aty për çështje funksioni’. Përpara Peleshit ka qenë ish-ministri Damian Gjiknuri, i cili u pyet për shtatë orë brenda Prokurorisë së Posaçme. Pasi doli nga SPAK, Gjiknuri refuzoi t’iu përgjigjej pyetjeve të gazetarëve për arsyet pse ishte thirrur. “Është krejt e zakonshme që të japësh deklarime në prokurori për ngjarje për të cilat ke marrë dijeni gjatë ushtrimit të detyrës”, tha Gjiknuri. “Pse këtu i doni përgjigjet”. Dy janë momentet që e lidhin ish-ministrin me paraqitjen e tij në prokurori. Një prej tyre është kallëzimi për rrugën Tiranë-Elbasan dhe përmendja e emrit të tij në dosjen e Arben Ahmetajt për incerenatorët. Të rrezikuar ka edhe deputetë. Është Olta Xhaçka e cila rrezikon prangat për aferat e pronave në ushtri. Gjithashtu të përfshirë në këtë skandal ka edhe zyrtarë të lartë socialistë. Në këtë situatë, kryesocialisti është i detyruar të zbatojë skenarin e reformës në qeverinë e tij. Rama nuk po ngutet që t’i bëjë që tani ndryshimet, pasi SPAK thuhet se po përgatit “Metamorfozën 4”, ku thuhet se aty dalin edhe politikanë të lidhur me krimin. Deri më tani është lakuar emri i Ulsi Manjës, por edhe i Taulant Ballës.