Dilema për profesionet e lira/ Çfarë vendimi pritet të marrë Gjykata Kushtetuese në seancën e 25 qershorit - Today News

Dilema për profesionet e lira/ Çfarë vendimi pritet të marrë Gjykata Kushtetuese në seancën e 25 qershorit

Opinionet e juristëve ndahen për vendimmarrje të favorshme, por edhe për mosshfuqizim të ligjit, të orientuar nga analiza e argumenteve të paraqitura nga palët mbrojtëse të politikës së re fiskale dhe vendimmarrjet e mëparshme të Kushtetueses pas vetingut

Pritshmëritë e juristëve ndahen për vendimmarrje të favorshme dhe negative kundrejt padisë për profesionet e lira në seancën e ardhshme.

Gjykata Kushtetuese pritet të japë konkluzionet përfundimtare më 25 qershor ndaj ankimeve për shfuqizimin e ligjit “Për tatimin mbi të ardhurat”.

Brenda pak muajve nga hyrja në fuqi e tij, ligji është paditur katër herë, pasi për deputetët e opozitës, kontabilistët dhe juristët, shkel parimin e barazisë mes tatimpaguesve dhe cenon sigurinë juridike.

Për juristin Aigest Milo, njëkohësisht edhe përfaqësues ligjor për padinë e Institutit të Kontabilistëve të Miratuar (IKM) dhe Institutit të Ekspertëve Kontabël të Autorizuar (IEKA), pritshmëritë janë për vendim pozitiv kundrejt kërkesës për shfuqizimin e ligjit.

Milo thekson se parashikimet e tij mbështeten te paqartësia e shfaqur te përfaqësuesit e institucioneve shtetërore për zbatimin e ligjit dhe mungesa e analizës për efektet e vendosjes së taksimit progresiv te profesionet e lira, kur bizneset e tjera do të vijojnë me zero taksim edhe 6 vjet.

“Si në çdo çështje që shqyrtohet nga Gjykata Kushtetuese, kjo e fundit ka një pavarësi të gjerë në vendimmarrjen e saj, e cila sigurisht nuk mund të pararendet. Gjithsesi, nga seanca maratonë ditën e martë, mund të nxjerrim disa konkluzione, të cilat mund të na orientojnë për vendimin e pritshëm.

Së pari, duhet të theksojmë që u kuptua nga pyetjet që bënë se kryetarja dhe anëtarët e gjykatës kishin kuptuar qartë problematikat e ngritura dhe parimet kushtetuese, të cilat pretendohet se janë shkelur. Ky element i rrit pritshmëritë për një vendim të favorshëm për kërkuesit.

Së dyti, dhe në vazhdim të sa më lart, rezultoi mjaft qartë nga prapësimet, por edhe nga përgjigjet që ju dhanë pyetjeve, se Këshilli i Ministrave dhe Kuvendi i Shqipërisë, nuk kishin bërë një analizë të mirëfilltë përpara se të projektonin diferencimet në taksim dhe se nuk kishin ndjekur siç duhet të gjithë rrugëtimin ligjor dhe procedural të kërkuar nga kuadri ligjor.

Si rrjedhim, pritshmëritë për një vendim pozitiv sigurisht që janë rritur, por mbetemi në nivelin e supozimeve pasi nuk ndodh rrallë në sistemin gjyqësor shqiptar që këto pritshmëri rrëzohen kur shpallet vendimi”.

Avokatë të tjerë anëtarë të Dhomës së Avokatisë nuk presin që vendimmarrja e Gjykatës Kushtetuese të jetë në favor të profesioneve të lira, nisur nga ato të mëparshme të Gjykatës së krijuar pas procesit të vetingut.

Ata sollën në vëmendje procesin gjyqësor për hartën e re gjyqësore, ku Gjykata Kushtetuese rrëzoi me shumicë votash padinë e Dhomës së Avokatisë dhe Komitetit të Helsinkit, duke arsyetuar se efektet e kësaj të fundit nuk cenonin parimin e proporcionalitetit.

Harta e re gjyqësore u kundërshtua nga avokatët, pasi rishpërndarja e gjykatave, rriste kostot e qytetarëve për të ndjekur çështjet gjyqësore, i privonte ata nga e drejta për akses në drejtësi. Njëkohësisht, ndryshimet dëmtonin profesionin e avokatit.

Pse Gjykata Kushtetuese nuk e pezulloi zbatimin e ligjit deri në vendimmarrjen e plotë?

Në seancën maratonë të 18 qershorit, trupa gjykuese mori në shqyrtim së bashku tri paditë e depozituara prej Grupit Parlamentar të PD-së, Dhomës së Avokatisë, IKM-së dhe IEKA-s.

Para marrjes së vendimit përfundimtar për lënien në fuqi apo shfuqizimin e ligjit, me shumicë votash, Gjykata Kushtetuese vendosi të rrëzojë kërkesën për pezullim, me argumentin se çështja do të trajtohet me përparësi.

“Gjykata vendosi me shumicë votash të rrëzojë kërkesën për pezullim, duke marrë në konsideratë që procesi është duke u gjykuar me përparësi”, pohoi kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, Holta Zaçaj.

Pra ligji i ri do të vijojë të zbatohet deri sa gjykata të shprehet në tërësi për të.

Gjykatësja Zaçaj u la kohë palëve që deri më datën 21 qershor të sjellin prova të reja, përgjigjet për pyetjet që u administruan në seancë dhe parashtrimet, ndërsa lajmëroi se konkluzionet përfundimtare do të jepen në seancën e datës 25 qershor.

Juristi Aigest Milo tha për “Monitor” se rrëzimi i kërkesës për pezullimin e ligjit nuk mund të konsiderohet vendimmarrje negative, duke marrë parasysh afatet e shqyrtimit të çështjes.

“Çështja po shqyrtohet me përparësi nga Gjykata Kushtetuese. Koha e marrjes së vendimit është e shpejtë.

Vendimi për shfuqizimin ose lënien në fuqi të ligjit pritet të merret më 25 qershor, kur u përcaktua edhe paraqitja e konkluzioneve përfundimtare. Për këtë arsye, Gjykata Kushtetuese rrëzoi kërkesën për pezullimin e ligjit”.

Për avokatin Klodian Gjermeni, rrëzimi i kërkesës për pezullim, jo vetëm që i ka vënë në vështirësi bizneset e profesioneve të lira, pasi brenda datës 30 qershor do të duhet të paguajnë tatimin mbi fitimin në bazë të përllogaritjes së bërë nga drejtoritë rajonale të tatimeve.

Media franceze “Le Figaro”: Shqipëria, destinacioni i ri turistik në zemër të Evropës

“Kjo do t’i vërë në vështirësi të mëdha profesionet e lira, pasi po e parapaguajnë këtë taksë në bazë të xhiros vjetore të deklaruar për 2023”.

Avokati Gjermeni argumenton se, edhe në nëse do të merret vendimi për shfuqizimin e tatimit, kohëzgjatja për zbatimin e tij, pas publikimit në Fletoren Zyrtare, sërish do të rëndojë me pagesën e taksës profesionet e lira.

Në të kundërt, nëse Kushtetuesja vendos mosshfuqizimin e ligjit, Gjermeni parashikon se me kryerjen e parapagimit të kësteve të tatimit, do të rriten automatikisht kostot e faturimit mbi konsumatorin.

“Mbi tarifën e shërbimit që i ofrohet konsumatorit do të shtohet direkt edhe 15% e taksës”, u shpreh ai.

Si ka vepruar Kushtetuesja për çështjet më të debatuara, të ankimuara për shfuqizim në vitin 2023?

Padia për shfuqizimin e ligjit “Për trajtimin e veçantë të studentëve që ndjekin programin e integruar të studimit të ciklit të dytë ‘mjekësi e përgjithshme’ në institucionet publike të arsimit të lartë”, u depozitua nga një grup studentësh dhe nga 30 deputetë të grupit parlamentar të PD-së.

Në muajin nëntor 2023, Gjykata Kushtetuese, para vendimmarrjes përfundimtare, vendosi pezullimin e zbatimit të tij. Ligji nuk u zbatua për rreth 4 muaj.

Në shkurt të 2024-s, Kushtetuesja vendosi uljen e afatit të punësimit të detyrueshëm të studentëve në Shqipëri pas diplomimit. Ligji i mëparshëm përcaktonte se pas diplomimit, studentët e mjekësisë ishin të detyruar të qëndronin të punësuar në vend për një periudhë 5-vjeçare.

Ndryshimet ligjore preknin edhe studentët e tjerë nga viti i dytë deri në të katërtin, të cilët do të ishin të detyruar të nënshkruanin marrëveshje para fillimit të vitit të ri akademik, duke pranuar të punojnë jo më pak se 3 vjet në vend.

Pas vendimit përfundimtar të Kushtetueses nga Ministria e Shëndetësisë u propozua ulja e afatit të qëndrimit të të sapodiplomuarve në Shqipëri nga 5 deri në 3 vjet.

Po ashtu ligji nr.133/2015 “Për trajtimin e pronave”, u padit për shfuqizim, nga Komuniteti Mysliman më 23 Nëntor 2023. Në ankimim kundërshtohej metodologjia e përllogaritjes së kompensimit financiar për pronat ndaj të cilave ka ndryshuar zëri kadastral.

Kjo pasi, sipas ligjit të ri, më shumë se 10 mijë dosje do të rivlerësohen nga e para me skemën e re, ndërsa të penalizuar janë ata pronarë që preken nga ndryshimi i zërit kadastral, të cilët do të duhet të mjaftohen vetëm me 10% të vlerës nga vlera e pronës në tregun e sotshëm.

Deri në vendimmarrjen përfundimtare të Gjykatës Kushtetuese, edhe ky ligj nuk u zbatua për rreth 4 muaj.

Në shkurt 2024, Gjykata Kushtetuese mori vendim për lënien në fuqi të ligjit, pra vendosi masën e heqjes së pezullimit. Në vendim u argumentua se nuk është antikushtetues dhe nuk cenohet e drejta e pronës për pronarët.

Çfarë parashtruan palët në seancën e Kushtetueses?

Njëzëri përfaqësuesit ligjorë të padive pohuan se ligji “Për tatimin mbi të ardhurat” shkel parimet e barazisë kushtetuese, të drejtën themelore të veprimtarisë ekonomike, cenon parimin e shtetit të së drejtës dhe të sigurisë juridike.

Përfaqësuesi ligjor i Partisë Demokratike, Marash Logu, pohoi se zbatimi i ligjit ka krijuar pasiguri juridike për bizneset e reja, ofrues të shërbimeve profesionale.

“Gjatë muajit prill, referuar të dhënave të QKB-së, për shkak të parapagimit të tatimit, kanë depozituar kërkesë për pezullim aktiviteti 10,470 biznese të profesioneve të lira”, pohoi ai, duke shtuar se veçanërisht te bizneset e reja, ofrues të shërbimeve profesionale, ligji i ri cenon në mënyrë flagrante sigurinë juridike.

Gent Ibrahimi, anëtar i Gjykatës Kushtetuese, në pyetjen drejtuar avokatit Marash Logu, kërkoi të dhëna krahasuese, të numrit të bizneseve që kanë pezullim apo mbyllur aktivitetin, në raport me 1 apo 2 vitet para fillimit të zbatimit të ligjit. Logu u përgjigj se me miratimin e ligjit ka pasur shtim të numrit të subjekteve fizike që kanë depozituar kërkesa për pezullim krahasuar me vitet e mëparshme. Ndërsa shtoi se të dhënat e kërkesave për pezullim aktiviteti, të kategorizuara sipas veprimtarive ekonomike, janë depozituar pranë Gjykatës Kushtetuese. Depozitimi i të dhënave për numrin e bizneseve që kanë pezulluar aktivitetin u kërkuan edhe nga kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, Holta Zaçaj.

Po ashtu, Logu ndër të tjera u shpreh se edhe trajtimi i diferencuar tatimor i profesioneve të lira, kundrejt bizneseve të tjera, që iu jepet kohë deri më 30 dhjetor 2029 të përshtaten me sistemin e ri fiskal, cenon lirinë e veprimtarisë ekonomike. Logu theksoi se edhe argumentet e qeverisë për shmangien e evazionit dhe barazimit të të vetëpunësuarve që mbart rrezikun e gjetjes së klientëve, qirasë dhe detyrimeve të tjera me një të punësuar që të ardhurat i garantohen nga zbatimi i Kodit të Punës, nuk përligjin diskriminim që i bëhet kësaj kategorie. Nga Këshilli i Ministrave, politika e re fiskale u mbrojt nga Niko Lera, Drejtori i Përgjithshëm i Politikave Fiskale, në Ministrinë e Financave dhe Ekonomisë me pretendimin se profesionet e lira kishin abuzuar në të kaluarën dhe se Shqipëria nuk mund të jetë pafundësisht parajsë fiskale.

“Bizneset në këtë profesion kanë 9 vjet me tatim zero. Shqipëria nuk mund të jetë parajsë fiskale pafundësisht për kategori të caktuara. Gjithashtu në të kaluarën ka pasur inflacion NIPT-esh me profesionet e lira. Ligji adreson problematikën në tërësi, pasi administrata tatimore nuk ka kapacitet të ndjekë nga pas çdo individ që shkel ligjin”. Ndërsa për sa u përket kërkesave për pezullim aktiviteti, Niko Lera tha se referuar të dhënave të marra nga QKB, të periudhës nga muaji janar deri në fund të muajit maj 2024, rezulton se nuk ka rënie të numrit të bizneseve që ofrojnë shërbimet profesionale, por përkundrazi kemi rritje të numrit të tyre përkatësisht me 942 biznese.

Po ashtu, për argumentin e ankuesve, se ligji krijon pabarazi midis tatimpaguesve dhe është diskriminues, Lera parashtroi para trupës gjyqësore argumentin se pas decentralizimit të ekonomisë, në 32 vjet asnjëherë nuk ka pasur barazi ideale të barrës tatimore.