Përfitoi 340 mijë € nëpërmjet mashtrimit/ Apeli lë në burg ish-punonjësen e Kuvendit - Today News

Përfitoi 340 mijë € nëpërmjet mashtrimit/ Apeli lë në burg ish-punonjësen e Kuvendit

Gjykata e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm ka lënë në fuqi dënimin me 5 vite burg për ish-punonjësen e Bankës së Shqipërisë dhe Kuvendit, Milena Deraj duke e shpallur fajtor për mashtrim me vendim të formës së prerë.

Deraj ka përfituar shumën prej 340.000 Euro nga një person duke i marrë përsipër zgjidhjen e çështjes gjyqësore. Njoftimi i Gjykatës së Apelit:

Referuar raportimeve të mëparshme në media, Gjykata e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, informon sa më poshtë:

Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm, mbi bazën e materialeve kallëzuese të vitit 2023, ka regjistruar procedimin penal për veprën penale të “Mashtrimit”, ndaj të pandehurës me iniciale M. D, ish punonjëse e Bankës së Shqipërisë, me profesion ekonomiste. E pandehura ka përfituar shumën prej 340.000 Euro, duke mashtruar shtetasin me iniciale A. D etj, duke i marrë përsipër zgjidhjen e çështjes gjyqësore, ndaj disa të pandehurve. Po ashtu dhe shoqes së saj me iniciale E. Sh, i ka marrë shumën prej 250.000 Euro, duke premtuar se këto para do t’i investonte në bono thesari.

Në Gjykatën e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, është zhvilluar gjykimi kundër të pandehurës me iniciale M. D, e akuzuar për kryerjen e veprës penale të “Mashtrimit” me pasoja të rënda, parashikuar nga neni 143/3 të Kodit Penal.

Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, me vendimin nr. 1088, datë 30.04.2023 ka vendosur:

Deklarimin fajtore të pandehurës M. D, për kryerjen e veprës penale të “Mashtrimit” me pasoja të rënda, parashikuar nga neni 143/3 i Kodit Penal dhe në bazë të kësaj dispozite dënimin e saj me 7 (shtatë) vite e 6 (gjashtë) muaj burgim.
Në aplikim të nenit 406 te Kodit te Pr.Penale, i ulet 1/3 e masës se dënimit dhe përfundimisht e pandehura M. D, dënohet me 5 (pese) vite burgim.
Vuajtja e dënimit do të fillojë nga dita e ndalimit datë 25.05.2023. Dënimi i mbetur do të kryhet në një burg të sigurisë së zakonshme.

Çështja në apel u shqyrtua mbi bazën e ankimit të bërë nga e pandehura me iniciale M. D, e cila kërkoi:

Ndryshimin e vendimit të Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë.
Deklarimin e të pandehurës të pafajshme.
Në rast se gjykata e gjen fajtore kërkojmë:

– Deklarimin fajtore të të pandehurës, për veprën penale të “Mashtrimit”, të parashikuar nga neni 143/3 të Kodit Penal dhe dënimin e saj me 5 (pesë) vite burgim.

– Në aplikim të nenit 406 të K.Pr.Penale, i ulet 1/3 e dënimit duke e dënuar përfundimisht me 3 (tre) vite e 4 (katër) muaj burgim.

– Aplikimin e nenit 59 të Kodit Penal, pezullimin e ekzekutimit të dënimit me burgim dhe vënien e të pandehurës në provë.

Në përfundim të gjykimit, sot më datë 13.06.2024, Gjykata e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, trupi gjykues me Relator Gjyqtar z. Fatri Islamaj dhe anëtare znj. Edlira Petri dhe znj. Marsela Pepi, vendosi:

– Lënien në fuqi të vendimit nr. 1088, datë 30.04.2024 të Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë.