Arjeta Puca, sipërmarrësja që prodhoi makinën e parë të blinduar ushtarake në Shqipëri - Today News

Arjeta Puca, sipërmarrësja që prodhoi makinën e parë të blinduar ushtarake në Shqipëri

Në Shqipëri gratë dhe vajzat po depërtojnë edhe në industrinë e prodhimit të automjeteve. Arjeta Puca themeluese e kompanisë “Timak”, që bazohet në punën e vajzave, në pak vite ja ka dalë të prodhojë disa qindra të tilla, së fundi dhe prototipin e makinës së parë të blinduar ushtarake, e cila do të ekspozohet në panairin Eurosatory në Paris. Nën moton “gratë në timonin e ndryshimit” zonja Puca po ndërton të ardhmen e saj në Shqipëri, pas kthimit nga emigracioni.

“Pas 25 viteve, të ngarkuara me mall për Shqipërinë, më në fund e vendosa të kthehem. Në familje vazhdimisht dëgjoja të thuhej “do kthehemi në Shqipëri”. Nuk dija asgjë, thjesht kisha mallin për vendin tim”- nis rrëfimin për Zërin e Amerikës, Arjeta Puca, themeluese e Kompanisë “Timak”.

Arjeta është vajza nga Dibra që pas vitesh 25 vitesh vendosi të rikthehet në Shqipëri, prej nga ishte larguar me prindërit në fillim të viteve 90 në moshën 4 vjeçare, në Ankara të Turqisë. E arsimuar në degën e inxhinierisë kompjuterike, me një përvojë pune në Japoni dhe Gjermani, ajo vendosi të sjellë me vete gjithçka kish fituar krah prindërve të saj. Ata zotërojnë një kompani për prodhimin e makinerive borëpastruese si dhe të atyre për panelet diellore prej gati 20 vitesh në Ankara. Fillimi pas rikthimit 9 vjet më parë ishte i vështirë.

“ Fillimi ishte i vështirë, nuk dija mirë gjuhën, nuk kisha shoqëri, e ndjeja veten të izoluar. Përpiqesha të krijoja rrjetin e duhur të komunikimit, të mësoja sa më shumë. Ka qenë më shumë mësim dhe krijim i njohjeve të reja. Kam mësuar jashtë mase shumë. Puna ime

e parë, ka qenë shitja e automjeteve borëpastruese. Nuk ka patur shumë kërkesë dhe bëja çdo punë tjetër”- tregon Arjeta.

Por ajo nuk dorëzohet, dhe krijon Kompaninë “Timak” si një nismë për shtimin e produkteve “Made in Albania”. Gjatë fillimeve të punës që bazohej në tregëtimin e automjeteve të ndryshme, Arjeta tregon se e tërhoqi autoambulanca dhe ja doli ta prodhojë atë për herë të parë në Shqipëri.

“ 2 deri në 3 vite nuk kishte punë, thjesht bëja aplikime. Në kohën e Covid 19-ës ishte kaos. Më pas filluam prodhimin e autoambulancave. Në bashkëpunonim me një kompani në fillim për prodhimin e tyre. Ajo na e la punën në mes dhe e përfunduam vetë. Pas kësaj filluan të vijnë kërkesa të tjera. Patëm dhe kërkesa për prodhimin e makinave zjarrfikëse, të makinave të policisë apo klinikave mjekësore të lëvizshme. Për të gjitha në thamë po. I studiuam dhe i bëmë. Për Ukrainën në morëm një kërkesë nga OKB-ja për të prodhuar autoambulanca. Ja dolëm të prodhojmë 11 të tilla për dy javë. Kemi punuar natë-ditë” -shprehet ajo.

Kjo ishte një pikënisje e fortë dhe sot kompania e themeluar prej saj e cila ka në qendër punën e vajzave, prodhon disa lloj automjetesh dhe i tregton ato në më shumë se 20 shtete.

Së fundi Arjeta synon të prekë një tjetër një përmasë.

“Shota” quhet, prototipi i makinës së parë të blinduar ushtarake të prodhuar në Shqipëri nga kompania Timak, e themeluar prej saj 8 vjet më parë. Ka zgjedhur emrin e luftëtares shqiptare “Shota”, që luftoi për mbrojtjen e trojeve shqiptare, në fillim të shekullit të kaluar.

“ Ishte shumë e mundimshme. E kemi projektuar për dy muaj. Kemi patur mbështetjen e dizenjuesit shqiptar Gregor Andoni. Bashkë me inxhinierët dhe vajzat e stafit kemi punuar me shumë emocione, sepse është makina e parë ushtarake shqiptare.Ne emrin e kishim lënë surprizë. Të gjithë ishin të emocionuar për emrin kur e

panë. Kemi punuar me të vërtetë me shumë dashuri”- tregon Arjeta Puca.