Vera sjell fluks virozash te fëmijët, mjekët ngrenë alarmin: Ja nga çfarë duhet të keni kujdes - Today News

Vera sjell fluks virozash te fëmijët, mjekët ngrenë alarmin: Ja nga çfarë duhet të keni kujdes

Stina e verës dhe temperaturat e larta kanë shtuar numrin e pacientëve në dyert e mjekëve pediatër. Më të prekur janë fëmijët nën 5 vjeç, ndërsa problematikat janë të shumta. “Ka shtim të rasteve sidomos te fëmijët e çerdheve dhe te kopshtet”, -tha Sonila Brati, mjeke pediatrja.

Jo të pakta janë rastet që mjekët trajtojnë on call, ose i orientojnë në qendrat verore. “Ajo që ne vëmë re në fakt këto ditë janë temperaturat shumë të larta, predominojnë infeksionet e rrugëve sipër respiratorë, bajamet e qelbëzuara janë një nga problematikat që ne në fakt i hasim edhe në periudhën e dimrit por edhe në të verës. Gjithashtu ka pasur raste me të vjella, diarre”, -tha mjekja.

Por kur vendi pritet të përfshihet nga një valë e të nxehtit afrikan, mjekja apelon për kujdes të shtuar, e këtë herë jo vetëm për fëmijët. Në ditët e nxehta, mjekët rekomandojnë të shmangen daljet në orët e pikut, e ndërsa kërkojnë që të përdoren veshje të lehta dhe përdorim i kremrave me faktorë mbrojtës gjatë ekspozimit në diell.