Policia e Shtetit s’ndalon degjenerimin në TikTok, bën trimin me policin që foli me turistet gjermane! - Today News

Policia e Shtetit s’ndalon degjenerimin në TikTok, bën trimin me policin që foli me turistet gjermane!

Edhe pse degjenerimi në rrjetin social TikTok ka arritur aty ku s’mban më, Policia e Shtetit zgjedh të bëjë trimin dhe ndëshkojë efektivët e saj,

Kështu efektivi i Policisë Rrugore që bëri foto me turistet gjermane që ndaloi për t’i gjobitur dhe u kërkoi emrin e Instagramit, është pezulluar nga puna.

Insepktori me iniciale R. Xh është pezulluar nga puna për sjelljen në mënyrë joprofesionale, gjatë kryerjes së detyrës.

Policia thotë se përsa i përket zbatimit të procedurës ligjore për shkeljen e konstatuar, efektivi ka vepruar konform ligjit pasi shtetaset gjermane janë ndaluar pasi qarkullonin me njërën dritë të automjetit, të djegur.

Për këtë arsye ato janë ndëshkuar me gjobë 1000 lekë, por duke qenë se e kanë paguar në vend, gjoba është përgjysmuar në 500 lekë.

Reagim i Drejtorisë Vendore të Policisë Lezhë

Në lidhje me sjelljen në mënyrë joprofesionale, gjatë kryerjes së detyrës, të punonjësit të Policisë Rrugore në Drejtorinë Vendore të Policisë Lezhë, inspektor R. Xh., gjatë komunikimit me një shtetase gjermane, Drejtoria e Standardeve Profesionale në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit ka pezulluar menjëherë punonjësin e Policisë dhe ndaj tij ka nisur ecurinë disiplinore.

Ndërkohë, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit ka urdhëruar transferimin e mënjëhershëm të këtij punonjësi policie, nga Sektori i Policisë Rrugore në një strukturë tjetër të Policisë së Shtetit.

Gjithashtu, sqarojmë se punonjësi i Policisë, përsa i përket zbatimit të procedurës ligjore për shkeljen e konstatuar, ka vepruar konform ligjit, konkretisht:

Më datë 10.06.2024, te kryqëzimi i Tales, shërbimet e Policisë kanë ndaluar automjetin me drejtuese shtetasen gjermane J. W., pasi kanë konstatuar se qarkullonte me njërën dritë të automjetit, të djegur. Pasi i kanë komunikuar arsyen e ndalimit, shërbimet e Policisë kanë konstatuar se shtetasja nuk dinte shqip dhe për këtë arsye komunikimin me të e kanë bërë nëpërmjet Google Translate. Për shkeljen e kryer (qarkullim me të meta teknike pamore), të parashikuar nga neni 79 i Kodit Rrugor, shtetasja J. W. është ndëshkuar me masë administrative 1000 lekë.

Shtetasja e huaj ka pranuar ta paguajë masën administrative në çast (në dorë) dhe për këtë arsye, konform nenit 205 të Kodit Rrugor, masa administrative është përgjysmuar në 500 lekë. Këto veprime janë të dokumentuara me fletën e masës administrative dhe me mandatin e arkëtimit për pagesën e bërë.